Monumentet dhe Memorialet në Kosovë

E Shtunë, 16 , nga: Eli Krasniqi

Menjëherë pas lufte, Monumentet dhe Përmendoret lulëzuan në Kosovë, shumica u ngritën nga familjet që humbën më të dashurit e tyre gjatë luftës. Monumentet dhe Përmendoret u ngritën për t’i përkujtuar ushtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe viktimat e luftës. Janë vetëm disa që janë ngritur nën patronazhin e qeverisë së Kosovës, disa tjera nën kujdesin e komunave, përderisa të tjerat janë nisma private.

Vendndodhja e monumenteve dhe përmendoreve ndryshon prej vendit në vend. Në vendet urbane, në qytete, zakonisht gjendet një monument që përjetëson kujtimin e heroit të cilit i është ngritur monumenti, por gjithashtu edhe luftën e fundit. Zakonisht heroi ose është nga ai qytet ose nga rrethina. Shpeshherë, vetë vendndodhja e monumentit është vendngjarje me rëndësi historike, siq mund të jetë vendi ku heroi kishte vdekur. Me të njejtin zakon janë ngritur edhe përmendoret.

Si lokacion interesant dhe disi karakteristik është kodra në lagjen Velania, në Prishtinë, ku mund të thuhet se periudhat e ndryshme historike dhe ideologjike bashkëekzistojnë në të njejtin vend. Me monumentin i cili përkujton partizanët e Luftës së Dytë Botërore, si përkujtim për regjimin komunist; varrezat e dëshmorëve prishtinas nga lufta e fundit në Kosovë; dhe mauzoleu i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili kujton rezistencën paqësore në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta.

Për sa i përket vendeve jashtë qyteteve, në përgjithësi monumentet janë ngritur nga iniciativa e familjës apo komunitetit. Shumica e monumenteve dhe përmendoreve jane ngritur në vendet ku ishin kryer gjëra mizore ndaj civilëve nga policia dhe paramilitarët Sërb; ku kishin ndodhur betejat; apo një hero i caktuar i fshatit apo rrethinës kishte vdekur aty.

Memoriali më i madh dhe më i vizituar është ai i Jasharajve, në fshatin Prekaz, komuna Skenderaj. Adem Jashari, njëri nga themeluesit dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për shqiptarët e Kosovës është simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në vitin 1998, Adem Jashari së bashku me 52 anëtarë të familjës së tij (përfshi nënën, bashkëshortën dhe fëmijët, vëllezërit e tij me familjet e tyre), u vranë nga policia dhe ushtria Sërbe. Memoriali Jasharajve është destinacion kombëtar pelegrinazhi, veqanërisht për shqiptarët në diasporë.

Një memorial tjetër, i cili është unik për mënyrën si është ndërtuar dhe se çfarë përfaqëson, është memoriali i dëshmorëve të UÇK-së në Morinë, Skenderaj. Ku memorial është ndërtuar nga komuna e Skenderajt, në një formë që i përngjan Murit Përkujtimor të Veteranëve të Vietnamit në Washington D.C.

Shumica e monumenteve dhe memorialeve në Kosovë, veqanërisht ato të ndërtuara menjëherë pas luftës, i përkasin artit social-realist, por me motive kombëtare. Në një mënyrë, imazhet e mbetura në kujtesën e popullit të monumenteve të ish-Jugosllavisë, janë kopjuar por me një dukje nacionaliste. Në përgjithësi, shumica e monumenteve – nëse jo të gjitha – janë ndërtuar për t’i përkujtuar dhe nderuar heronjtë meshkuj. Deri më tash, për sa kam njohuri, nuk ekziston asnjë monument apo memorial për ndonje dëshmore femër apo për femrat që luftuan gjatë luftës në Kosovë, në mënyra tjera.

Eli Krasniqi (Alter Habitus – Instituti për Studime Sociale dhe Kulturore)

Fjalët kyçe: monumente, përmendore

Vlerëso18 mes 3.44

Komentet (2)

  • diona(para 13 viteve)

    shum me ka pelqyet dhe me ka len mbreza

    3 mes 4.00
  • Emine Krasniqi(para 13 viteve)

    Shum me ka len mbresa ky shenim qe eshte shenuar per monumentet e Kosoves,ishte shum e mir.Kam shemuar edhe un kete me ka pylqyer jashtmase shum

    10 mes 4.10

photo
mbrapa

Ngjarjet e ardhshme